Një tjetër sport që rikthehet në qytetin e Burrelit është edhe ai i radioamatorizmit. Ish sportistja e Burrelit, Zhulieta Hoti e cila prej shumë vitesh jeton në shtetin fqinj të italisë, ka rikthyer këtë sport në Burrel në bashkëpunim me mësues të shkollave të qytetit. Ekipi tashmë është regjistruar në Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit dhe ka marrë pjesë në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Elbasan. Ekipi u shpall kampion i Shqipërisë në këtë kompeticion. Ndërkohë, trajnerja Zhulieta Hoti, mësueset Zenepe Dedja e Dhurata Cuka si dhe sportistët, u pritën në një takim nga zv/kryetarët e Bashkisë Mat Myslym Zeneli e Flutura Biba, Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha etj.

Presidentja e ekipit të Radioamatorizmit Burrel njëherësh trajnere, Zhulieta Hoti tha se do të vazhdojë të kontribuojë për Matin edhe në distancë.

Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha tha se arritje e këtyre rezultateve nderon Matin.

Sportistja Heili Dedja ka përfaqësuar Shqipërinë në kampionatin XIX Botëror që u zhvillua në 9-13 shtator 2023 në Primorsko të Bullgarisë ku dhe është renditur e katërta në botë. Mësuesja Dhurata Cuka falenderoi presidenten Hoti e cila riktheu këtë sport.

Kupa e fituar nga ky ekip në fund ju dhurua Bashkisë së Matit.