Ekipi i të rriturve në kategorinë e Parë në futboll “Burreli” në këtë javë ishte pushim, ndërsa janë luajtur përballjet e tjera. Por stadium “Liri Ballabani” i qytetit të Burrelit ka pritur ekipet e të rinjëve U19 të Kategorisë së Parë, mes Burrelit dhe Kastriotit të Krujës. Ekipet e drejtuara nga teknikët, Luzim Kola dhe Avni Çupi kanë ndarë nga një pikë ndërmjet tyre, pasi takimi u mbyll me shifra të barabarta 2 me 2. Të parët që zhbllokojnë shifrat janë miqtë nga Kruja, ku në minutën e 20 është Abazi që shënon. Vetëm pas katër minutash miqtë dyfishojnë shifrat, duke kaluar në 2 me 0 për Kastriotin. Pas disa rastesh të pastra, matjanët më në fund gjejnë golin. Është Farruku i cili ngushton rezultatin në minutën e 32’. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra. Në pjesën e dytë miqtë ndryshuan stilin e lojës duke u mbrojtur më shumë, për të ruajtur kështu edhe rezultatin e pjesës së parë. Megjithatë, Farruku do të barazonte shifrat në minutën e fundit të këtij takimi, duke mbyllur gjithçka Burreli 2 e Kastrioti 2. Të rinjtë e Burrelit renditen të 8-tët në grupin A me 14 pikë të grumbulluara deri tani, duke lënë pas Korabin e Dibrës dhe Kastriotin e Krujës me nga 10 pikë.