Ekipi i Burrelit është drejt formalizimit të plotë pasi kanë nënshkruar kontratën më shumë se gjysma e lojtarëve. Matjanë zhvilluan të mërkurën një ndeshje miqësore me ekipin e Shënkollit të Lezhës të cilën e fituan me rezultatin 3 me 2. Menjëherë pas kësaj klubi ka nisur nënshkrimin e kontratave me futbollistët. Drejtori teknik i skuadrës, Klevis Gjoka firmosi në emër të klubit kontratat me futbollistët Ariolion Murja, Igli Koca, Donald Kurbneshi, Romeo Gjoka, Mariglen Stana, Klaudjo Mallunxa, Kleando Farruku, Salvador Gjonaj, Alex Dedgjonaj, Gëzim Hysko, Aldo Mitraj, Admir Ujka, Mario Bytyçi dhe dy brazilianët Ho Luiz e De Assis.
Ndërkohë burime pranë klubit thanë se këto ishin 15 zyrtarizimet e para ndërsa po punohet edhe me sportistët e tjerë të cilët do të plotësojnë numrin e nevojshëm të skuadrës. Trajneri i Burrelit, Gentjan Stojku është i vendosur për të përzgjedhur futbollist cilësor ndaj dhe vazhdon me testimet e futbollistëve të afruar deri tani. Repartet e skuadrës janë drejt plotësimit, ndonëse vakant mbetet pozicioni i qendërmbrojtësit pasi stafi teknik ende nuk është i sigurtë se kujt duhet të ja besojë.