Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në Maqellarë të Dibrës. Policia bën me dije se një 35-vjeçar ka humbur jetën pasi u lëndua në vendin e tij të punës.
“Punonjësi i një kompanie të pllakave të mermerit është aksidentuar për vdekje gjatë orarit të punës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në Maqellarë të Dibrës. 35-vjeçari me inicialet Bedri Markja është plagosur në rrethana ende të paqarta dhe si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në spital” – thuhet në deklaratën e policisë.
Ende nuk dihet ekzaktësisht si ka ndodhur aksidenti, ndërkohë që policia ka shoqëruar pronarin dhe menaxherin e subjektit.
Ndërsa burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në punishte përgatiteshin pllaka varresh dhe në rrethana ende të paqarta një pllakë e madhe mermeri ka rënë dhe e ka zënë poshtë Bedri Markjan, baba i gjashtë fëmijëve dhe punonte në atë subjekt prej kohësh. Për ngjarjen në fjalë policia ka shoqëruar Urim Bulkun, pronarin e subjektit “BULKU MERMER” dhe menaxherin e subjektit ku ishte i punësuar 35-vjeçari.
Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të vërtetuar shkaqet e vërteta të vdekjes së 35-vjeçarit Bedri Markja, ku do të merren edhe dëshmitë e pronarit dhe menaxherit të subjektit të kompanisë të pllakave të mermerit në Maqellarë të Dibrës, për të hedhur dritë më shumë mbi këtë tragjedi.