Kryesisht fundjava, por edhe gjatë ditëve të tjera të javës në doganën e Bllatës në Maqellarë të Dibrës ka një dyndje qytetarësh të cilët kalojnë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Arsyeja kryesore e lëvizjes kaq masive është çmimi shumë i ulët i karburantit që është në vendin fqinj, por edhe të produkteve të tjera, në krahasim me ato në Shqipëri. Qytetarët thonë se jo vetëm nga Dibra e Bulqiza, por edhe nga Tirana vijnë shumë qytetarë që kalojnë në Dibër të Madhe për tu furnizuar me karburant pasi në shtetin fqinj është 40 deri në 50 lekë për litër më lirë se në vendin tonë.

Për shkak të këtij masiviteti lëvizje, qytetarët kërkojnë që dogana e Bllatës të bëhet me dy sportele, ose më e mira, të hiqet trau dhe lëvizja të jetë e lirë në të dyja vendet.

Që prej vitit 2022, kur dhe nisi shtrenjtimi i karburanteve, banorët e Dibrës dhe Bulqizës kanë shfrytëzuar afërsinë me shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut për të furnizuar makinat e tyre me karburant për shkak të çmimit shumë të ulët atje të këtij produkti.