Dy rrugët nacionale që lidhin Matin me Veriun e Veriperëndimin, jashtë standartit
Dy rrugët nacionale që lidhin Matin por jo vetëm, gjithë Qarkun Dibër me veriun dhe veriperëndimin e vendit janë jo në standartin e kërkuar. Gjendja e rrugës Skuraj – Burrel është e degraduar prej vitesh si pasojë e mungesës së një rehabiltimi të plotë. Por jo më pak problematike është edhe rruga tjetër nga Ura e Matit deri në Rrëshen. Edhe pse kjo e fundit është në kontratë mirëmbajtje nga ARRSH, gjendja si rrugë nacionale, sipas specialistëve është larg standarteve. Në fakt rruga Shoshaj – Rrëshen është marrë në inventarin e ARRSH vitin e kaluar, për shkak se që prej ndërtimit të saj në vitet 2012 – 2014 asnjë institucion nuk e mori në dorëzim. Investimi në këtë rrugë ishte bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ndarë në dy faza, Rrëshen – Urakë dhe Urakë – Shoshaj. Cilësia e dobët e punimeve bëri që rruga të degradohej në këtë gjendje që vitin e parë. Specialistët deklarojnë se të dyja rrugët nacionale Burrel – Skuraj dhe Shoshaj – Rrëshen kanë nevojë për rikonstruksion të plotë, pasi mirëmbajtja rutinë është e pamjaftueshme. Për të dyja këto rrugë janë bërë projekte për rikonstruksionin e plotë por mbetet në vullnetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe institucioneve në varësi të saj për t’i implementuar.