DY AKSIDENTE ME TRE TË PLAGOSUR NË BULQIZË, NJË NISET DREJT TRAUMËS NË TIRANË
Dy aksidente automobilistike janë regjistruar në Bulqizë këtë të mërkurë në një hark kohor prej 30 minutash. Dy automjetet e para u përplasën në afërsi të urës që lidh dy lagjet e qytetit në vendin e quajtur "Vajkal". Aksidenti i dytë u shënua vetëm pak minuta më pas, në vendin e quajtur "Pishat", ku dy automjete që lëviznin në të njëjtin drejtim u përplasën me njëri - tjetrin. Si pasojë e këtyre aksidenteve, tre persona mbetën të plagosur dhe u dërguan në spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e parë. Për shkak të gjendjes më të rëndë një grua u transportua për mjekim më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy të plagosurit e tjerë morën ndihmën e nevojshme në spitalin Bashkiak Bulqizë dhe më pas u larguan drejt banesave të tyre. Në të dy vendngjarjet kanë mbërritur grupet hetimore të cilat pritet të zbardhin dinamikën dhe shkaqet e aksidenteve. Në të dyja rastet, makinat lëviznin në të njëjtin drejtim, ndërsa frenimi i makinës së parë dhe distanca e shkurtër me makinën që vinte nga pas, ka bërë që përplasja të ishte e pashmangshme.