Në një deklaratë për mediat policia e Dibrës njoftoi se ka finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Kamuflimi”.
Në kuadër të këtij operacioni Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Dibër, në vendin e quajtur ura e fshatit Fshat, në Klos, kanë ndërhyrë në mënyrë të befasishme duke bllokuar furgonin që drejtohej nga 36-vjeçari nga Tirana, ku dyshohej se transportohej lënda narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyshemenë e sediljes së shoferit, shërbimet e policisë gjetën një kuti, ku brenda saj dyshohet se kishte 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis sativa, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë rreth 1 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Y.D., 36 vjeç, banues në Tiranë. Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.