Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve bëri me dije të dielën se është parandaluar futja e një droni në burgun e Burrelit. “Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale”, thuhet në njoftim. Gjithashtu, në njoftim saktësohet se droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme. Përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale. Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas, ekspertimit kompjuterik, për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive. Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.
Pas kapjes së dronit ditën e djeshme në burgun e Burrelit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shtuar vëmendjen në të gjitha IEVP në vend. Duke nisur me shtim patrullimi regjim i jashtëm dhe brenda në të gjitha institucionet e sigurisë.