Aktualisht në Qarkun e Dibrës është vetëm një vatër zjarri aktive. Ajo ndodhet në njësinë administrative Selishtë të Bashkisë së Dibrës ngjitur me malin e Balgjajt në Mat.
Flakët kanë shkrumbuar disa hektarë me pyje pasi janë përhapur me shpejtësi për shkak edhe të erës së fortë.
Për shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar punonjësit e shërbimit zjarrfikës në Bashkinë e Dibrës, por nuk kanë arritur t’i vënë flakët nën kontroll.
Ndërkohë prej ditësh në këtë zonë, ndodhen edhe efektivët e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale Burrel. Forcat e ushtrisë kanë ndihmuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të vatrës së zjarrit e cila i ishte drejtuar masivit pyjor të Balgjajt.
Terreni i vështirë i thyer e pa rrugë automobilistike e ka bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, ndaj dhe e gjithë ndërhyrja është bërë me krah.
Pas tri ditësh, të gjithë ata që ndodheshin në terren kanë bërë të mundur ndërprerjen e vijës së përhapjes së zjarrit, i cili nëse do të hynte në zonën e malit të Balgjajt në Mat, do të bëhej akoma edhe më i vështirë për tu shuar si dhe do të shkaktonte një dëm akoma edhe më të madh ekonomik.
Situata në Bashkitë Mat e Klos paraqitet krejt e qetë. Disa vtra zjarri të shfaqura në mënyrë sporadike janë shuar menjëherë nga shërbimet zjarrfikëse të të dy bashkive.