Ekipi matjan i futbollit “Burreli” u përball këtë të shtunë me ekipin e Tërbunit të Pukës në ndeshjen e fundit të fazës së dytë e cila ishte edhe vendimtare sa i përket përcaktimit të ekipeve që do të luajnë ndërmjet tyre në fazën e tretë. Pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur në barazim pa gola. Asnjëri nga ekipet nuk ka mundur të gjejë rrjetën e portës kundërshtare.
Dy golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në pjesën e dytë. Ekipi i drejtuar nga tekniku Renato Hoti ka vijuar me sulmet, duke kërkuar me ngulm golin e avantazhit. Do të ishte braziliani Almeida i cili vetëm katër minuta pasi zëvendësoi Mallunxën në minutën e 61, të shënonte golin e avantazhit. Ndërkohë kur u mendua se në minutat e mbetura nuk do të ndryshonte asgjë, miqtë barazuan në minutën e 8 të shtesës me Rashën.
Por barazimi i këtij takimi nuk i vlejti aspak Burrelit pasi rivali i tij për qëndrimin në katër ekipet e para të grupit, Erzeni i Shijakut fitoi në Lezhë përballë Besëlidhjes vendase. Renditja përfundimtare pas javës së 18 në grupin A është Kastrioti 37 pikë, Besëlidhja 29 pikë, Erzeni 25 pikë, Korabi 25 pikë, Burreli 24 pikë, Egnatia 20 pikë, Tërbuni 16 pikë, Veleçiku 14 pikë dhe Dinamo 11 pikë.