Prokuroria e Dibrës ka zgjatur me tre muaj afatet për hetimet mbi dosjen “184”, që u regjistrua për të hetuar shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në vitin 2016.
Sipas burimeve, kjo dosje e bujshme ka ndryshuar edhe numrin, duke marrë numrin e ri “385”, për shkak se është regjistruar si procedim në Prokurorinë e Dibrës, pas shpalljes së moskompetencës nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në përgjimet e publikuara nga “Bild” përmendet emri i kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, ish-deputetit Pjerin Ndreu (aktualisht kryetar i Bashkisë së Lezhës), i ish-deputetit Artan Gaçi, i drejtorit në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshit, i shefit të komisariatit nr. 5 në Kamëz, Sali Skurës, si dhe i drejtorit i zyrës arsimore të Dibrës, Drini Gjeçi.