Dita e Verës është festuar në mbarë vendin më 14 mars, ndonëse me të identifikohet Elbsani, vitet e fundit ajo është kthyer në festë kombëtare. Edhe Bashkia Mat organizoi me këtë rast një aktivitet të larmishëm festiv në sheshin “Kastriotët” të qytetit të Burrelit. Për rreth 3 orë me radhë qytetarët u bënë pjesë e kësaj feste të shtruar në sheshin “Kastriotët”, nën ritmet e muzikës, valleve, ushqimeve të përgatitura nga nxënës të shkollave, informacione mbi turizmin në Mat, ekspozitën e instruktorëve të pikturës dhe skulpturës pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat etj.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, tha se tashmë festimi i Ditës së Verës në këtë mënyrë festive do të kthehet në traditë si dhe do të zhvendoset edhe në njësitë e tjera administrative të Matit.

Në mbarë vendin janë zhvilluar aktivitete të ndryshme për këtë ditë e cila simbolizon fundin e stinës së dimrit dhe ardhjen e stinës së pranverës. Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane. Festimet kryhen në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë.