Dinakëria e dy “yjeve” të kësaj farse!

0
7

Nga Fatjon Baze
Nësër në Tiranë në “Air Albania Stadium” do të zhvillohet një takim bamirësie mes “yjeve historikë” të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë.
Në ditët e fundit, në çdo media kemi parë Andi Lilën, si kryetar “Sindikate” të futbollistave shqiptar, duke treguar detajet e kësaj sfide, ku qëllimi kryesor i këtij eventi, është se të gjitha të ardhurat nga biletat do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Deri këtu gjithçka është “ok”. Askush nuk është kundra të tilla nismave, por përkundrazi meriton një duartrokitje.
Ajo që është hipokrite në gjithë këtë “show” të ditëve të fundit, është dinakëria e Federatës Shqiptare të Futbollit me “Sindikatën” e Futbollistave.
Një Federatë e cila është e zhytur në skandale dhe korrupsion, do të bënte çmos që në të tilla evente ta merrte ajo rolin kryesor, për të rregulluar paksa imazhin e saj ( jo se janë shqetësuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve, pasi vijojnë ende të qetë të pasurohen në emër të futbollit), por ia kanë dhënë hapsirën më të madhe të “marrjes” së meritave Sindikatës së Futbollistëve.
Ajo që është aq tallëse dhe fyese për lojtarët dhe sportdashësit, është hipokrizia e kryetarit të tyre, Andi Lila, i cili në studiot televezive ka thënë se Sindikata që ai drejton është e pavarur.
Që kjo “Sindikatë” të jetë e pavarur, Andi Lila, duhet të jetë në “luftë” me Federatën e Futbollit që është kthyer në një Institucion privat nga Armando Duka ( të cilin ai e quan me krenari “Mbret”), me presidentët e klubeve, me Komisionet e Disiplinës, me shtetin etj, për të kërkuar çdo ditë mbrojtjen e sportistëve, për kërkimin e të drejtave të tyre.
Kjo gjë jo vetëm që nuk ka ndodhur, dhe nuk besoj se do të kemi ndonjë përballje për të kërkuar këto të drejta, që kjo Sindikatë e ka detyrim për futbollistët, por kam parë një irritim të madh nga Andi Lila kur sulmohet Armando Duka.
Mjafton të shikoni vetëm për disa sekonda debatin mes Lilës dhe gazetarit Gëzim Sinemati këtë të hënë në emisionin “Proçesi Sportiv”, kur ky i fundit flet kundër FSHF-së për largimin skandaloz dhe pa asnjë argument të gjyqatarit Barushi nga arbitrimi.
Shihni se si nervozhet Andi Lila në momentin që flitet kundër FSHF-së, për të kuptuar se sa e pavarur është kjo Sindikatë.
Shihni kë kanë lënë jashtë liste për ndeshjen nesërme.
Shihni se si Lila justifikohet për lënien jashtë të ish kapitenit Rudi Vata, për të kuptuar se si ai keqpërdoret për interesat e FSHF-së.
Shikoni sulmet që ka bërë në emër të “Sindikatës” ndaj Erion Braçes, apo kur mbështeste deklaratat e Federatës që kërkonte rikthimin e Policisë në stadiume.
Vetëm në një “Sindikatë” të tillë, që ka pak muaj që është krijuar, mund të shohësh më shumë deklarata që mbrojnë hallet e FSHF-së, se sa hallet e lojtarëve.
Dhe kaq mjafton për të kuptuar se i gjithë ky promovim i “Sindikatës” është se në të ardhmen do të kthehet në një Shoqatë ku do të ketë të drejtë vote për zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Futbollit, që është dhe objektivi kryesor i të dy kryetarëve aktual dhe arsyeja pse e kanë krijuar këtë Sindikatë.
Nësër është mirë të shkojmë në stadium, të solidarizohemi dhe të kontribojmë për të prekurit nga tërmeti, por të qëndrojmë larg “llogjeve” se do të kemi një “Sindikatë” që do të jetë në mbrojtje të futbollistave.
Është thjesht një fars. Do të funksionojë si gjithë Sindikatat në Shqipëri, të cilat shumicat kanë vdekur, ndërsa ato që mbijetojnë ende përdoren për interesa korruptive.