Jo të gjithë e shohin si shqetësuese situatën e krijuar nga reshjet e dëborës të rëna fundjavën e kaluar. Kjo pasi, të moshuarit thonë se nuk ka të krahasuar me situatat që janë përballur dekada më parë. 68-vjeçari Petrit Myftiu, nga fshati Melan i Dibrës, tregon se dikur në dimër në këtë fshat binte më shumë se dy metëra dëborë, ku paralizonte gjithçka. Sipas tij, ndryshe nga ato vite, vitet e fundit dimri ka qenë shumë më i butë dhe trashësia e dëborës nuk ka qenë shumë e madhe për të vënë në vështirësi jetesën e banorëve. Petriti tregon se gjithë banorët e fshatit i marrin masat paraprakisht për të përballuar situatat dimërore.  Nga ana tjetër, 68-vjeçari Petrit Myftiu thotë se dikur fshati Melan kishte qindra krerë bagëti dhe banorët ishin të detyruar të merrnin masa për të përballuar situatat dimërore, ku dëbora i linte të izoluar për më shumë se tre javë. Sipas tij, tashmë, jo vetëm që nuk ka bagëti, por nga 90 shtëpi, në Melan kanë mbetur vetëm 25.

Nga ana tjetër, Petrit Myftiu thotë se edhe institucionet duhet të reagojnë më shpejt tani për situatat e krijuara nga reshjet, pasi kanë mundësi, duke qenë se zotërojnë mjetet e nevojshme për hapjen e rrugëve.