Nëse klubet e Seria A kanë filluar të qartësojnë pozicionet e tyre për fillimin ose jo të kampionatit, drejtuesit e futbollit italian vazhdojnë të studiojnë mënyrat se si duhet të mbyllin këtë sezon pas pandemisë globale.

Sigurisht problemi më i madh është kufizimi i humbjeve ekonomike të klubeve. Por edhe paqartësia për të dhënë titullin kampion dhe ndoshta bllokimi i skuadrave për të rënë nga kategoria janë dy çështje të mprehta.

Të gjitha variantet janë në tavoline duke përfshire ndoshta edhe pezullimin e kampionatit për këtë vit. Gjithsesi sipas mediave italiane po mendohet edhe për zhvillimin e ndeshjeve me dyer të mbyllura. Sipas tyre, është më shumë se një hipotezë pasi qeveria italiane, edhe pse situata e koronavirusit, duket afër një kthese pozitive, nuk pritet të lejojë ngjarje sportive me dyer të hapura përpara sezonit të ri.

Skuadrat e rajoneve ku situata ka qenë e vështirë për shkak të Covid-19 pritet të transferohen në zona më të sigurta të Italisë, pra në fusha neutrale. Duke menduar për një rifillim të mundshëm të kampionatit në fund të majit, Serie A e këtij sezoni mund të mbyllet në dy muaj, pra deri në mes të korrikut. Ndërkohë, kapitullit të kupave europiane pritet t’i jepet zgjidhje nga UEFA në samitin e planifikuar në orët e ardhshme me 55 federatat europiane.