Digjen dy stane në fshatin Trodhën, situata mbetet kritike edhe në Madhesh
Dy stanet e bagëtisë që rrezikoheshin një ditë më parë nga zjarri në fshatin Trodhën të Ulzës nuk i kanë shpëtuar flakëve. Mbrëmjen e kaluar ata janë djegur plotësisht nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë zonën prej së dielës. Zjarri po rrezikon edhe fermën që kishte 250 krerë lopë pasi po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe thatësirës së madhe. Po ashtu, vatra e zjarrit po përhapet edhe në drejtim të Shkopetit teksa në fshatin Madhesh rrezikohen banesa si dhe 200 koshere bletë. Autoritetet vendore vijojnë operacionin nga toka por terreni është tepër i vështirë dhe është e pamundur futja e mjeteve zjarrfikëse. Ndërsa nga ajri operacioni deri ditën e djeshme ka vijuar vetëm me një helikopter, i cili në orët e pasdites asistoi edhe në zjarrin e rënë në fshatin Mallunxë, pasi kishte dalë jashtë kontrollit dhe ishte pranë zonës së banuar.