Fermerët dibranë kanë nxjerrë në treg prodhimet stinore. Ashtu si në çdo zonë tjetër, edhe në Dibër sasia e prodhimit të këtij viti është shumë më e vogël se e vitit të kaluar. Prodhuesit thonë se shkak është bërë moti i paqëndrueshëm gjatë stinës së pranverës. Në mungesë të tregut por edhe të rritjes së kostos së prodhimit, çmimi i produkteve vendase ka qenë më i lartë se vitin e kaluar. Megjithatë, tregtarët shprehen se janë munduar të mos kenë çmime të papërballueshme për qytetarët, ndërsa vënë re hezitimin e blerësve teksa shohin çmimet.

  Qytetarët e Peshkopisë thonë se çmimet e prodhimeve vendase janë të papërballueshme, pasi janë rritur edhe çmimet e produkteve të tjera që blejnë. Megjithatë, ata nuk fajësojnë fermerët pasi kuptojnë që nuk ka abuzim, por rritja e çmimeve ka përfshirë gjithçka.

Nga ana tjetër, në qytetin e Peshkopisë mungon një treg frutaperimesh, ndërsa fermerët detyrohen t’i shesin prodhimet e tyre në rrugë.