Tre ngjarje të rënda janë regjistruar brenda dy ditëve të fundit në Dibër. Policia njofton se në orët e para të së dielës në oborrin e banesës së shtetasit I.P, në fshatin Fushë-Çidhën është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Ndërkohë, në rrugën dytësore të fshatit Kastriot, shtetasi D.N., 29 vjeç, duke drejtuar automjetin tip ‘Ford’, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka aksidentuar këmbësorin shtetasin D.Gj. ku për pasojë ky i fundit ka humbur jetën në spital. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, shtetasit D.N., 29 vjeç, banues në fshatin Brest, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Këtë të hënë një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Dibër. Sipas deklaratës së policisë në liqenin e fshatit Grevë, dyshohet se është vetëmbytur shtetasi E.F, 50 vjeç, banues në fshatin Grevë. Nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Për të tre këto ngjarje policia ka nisur hetimet dhe pritet të zbardhë shkaqet e vërteta të cilat i kanë shkaktuar.