Prej dy ditësh, më 30 dhe 31 tetor 2024, në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala”, në Peshkopi, është zhvilluar stërvitja funksionale “Përgatitja dimërore 2024”, me pjesëmarrjen e 27 institucione dhe strukturave operative, duke përfshirë 7 bashki, prefekturat dhe ministritë, përfaqësues të ambasadave në vendin tonë, si dhe strukturat lokale dhe qendrore të mbrojtjes civile në Qarqet Dibër dhe Kukës.
Të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, prefekti i qarkut Kukës Agron Geca, Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, përfaqësues vendorë nga Kosova.
Kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu, falenderoi pjesëmarrësit në këtë Përgatitje Dimërore, tha mes të tjerash se: Qëllimi i këtij ushtrimi është të testojë Planin Kombëtar të Emergjencave Civile, për të siguruar që institucionet të jenë të përgatitura për menaxhimin e situatave të fatkeqësive natyrore. Edhe oratorë të tjerë theksuan se “Përgatitja dimërore 2024 synon të përmirësojë reagimin dhe koordinimin e institucioneve për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e infrastrukturës kyçe.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha gjithashtu se Stërvitja synon të vlerësojë rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe strukturave pjesëmarrëse në menaxhimin, koordinimin dhe ndërveprimin, si dhe kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore dhe për t’u rikuperuar prej tyre.
“Përgatitja Dimërore 2024,” ka për qëllim të testojë reagimin ndaj emergjencave civile në kushtet e reshjeve të dendura të dëborës dhe fatkeqësive të tjera natyrore në dy Qarqet veriore: Dibër dhe Kukës.