Policia e Dibrës ka goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Peshkopisë. Në deklaratën e Policisë Dibër thuhet se si rezultat i kontrolleve të ushtruara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kamuflimi”, janë arrestuar në flagrancë dy të rinj; 23 vjeç, dhe 24 vjeç, të dy banues në Peshkopi.

Nga kontrolli në ambientet e një lokali në përdorim të 24-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën lëndë narkotike e dyshuar kanabis, e përgatitur në doza në formë cigaresh, një sasi tjetër me lëndë narkotike e papërpunuar, 1 grirëse dhe 5 aparate celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Të rinjtë e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi përpunonin dhe ndanin lëndën narkotike në formë cigaresh, i kamuflonin ata duke i futur në paketa duhani.

Materialet e sekuestruara dhe ato proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme, ku do të hetohet nëse ka edhe persona të tjera të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.