Si një nga prodhueset më të mëdhaja të mollës në vendin tonë, Bashkia Dibër po vijon të përballet me të njëjtën situatë çdo vit, atë të mbetjes stok të frutave të pashitura. Edhe këtë vit në Dibër dhjetra kuintal mollë mbeten pa shitur ose u lanë të kalben në pemë për shkak të mungesës së tregut të shitjes ose të çmimit shumë të ulët në treg.
Ky është një plantacion me mollë në fshatin Melan të Bashkisë së Dibrës. Siç duket nga pamjet, frutat e mollës kanë mbetur në pemë ose janë kalbur në tokë pasi pronari nuk i ka mbledhur për t’i shitur në treg. Fermerët e Melanit thonë se për shkak të mungesës së tregut të shitjes, nuk e kanë marrë mundimin për t’i vjelë mollët në pemë, kjo edhe për shkak se ka një kosto edhe vjelja me punëtorë që duhen paguar.
Fermerët e Dibrës vazhdimisht janë ankuar për mungesën e tregut të shitjes së frutave. Ata i qëndrojnë idesë që shteti duhet t’ju ndërtojë dhoma frigoriferike në mënyrë që të kenë mundësinë të ruajnë prodhimin e grumbulluar deri në gjetjen e tregut apo deri në arritjen e çmimit të favorshëm për tregti.
Kjo është periudha më e vështirë për tregtarët e frutave në Dibër, pasi tregu vendës është mbushur edhe me prodhim të jashtëm i cili vjen me një kosto më të lirë se sa ai i prodhimit të tyre, për shkak të çmimeve të larta të proceseve që i duhen bërë pemës së mollës deri në vjeljen e frutit.