Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Turizmit, dega rajonale Dibër ka vijuar kontrollet për prerjen e paligjshme të pyjeve. Aksioni i fundit u zhvillua në pyjet e Njësisë Administrative Selishtë në Bashkinë e Dibrës. Inspektorët e inspektoriatit shtetërorë të mjedisit të drejtuar nga kryeinspektori Lutfi Miftari në bashkëpunim me policinë e rendit në komisariatin e Peshkopisë kanë bërë të mundur bllokimin e një mjeti tip kamion që po transportonte lëndë drusore nga fshati Lukan në Selishtë.
Mjeti është dërguar në Komisariatin e Policisë Dibër bashkë me lëndën drusore, ndërkohë që ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për drejtuesin e automjetit.
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Turizmit, dega rajonale Dibër në bashkëpunim me policitë lokale të Matit, Bulqizës dhe Dibrës gjatë muajit Gusht kanë zhvilluar disa aksione në pika kyçe ku mendohej se realizohej kotrabandë të lëndës drusore.
Si rezultat i këtyre aksioneve përgjatë një muaji janë sekuestruar rreth 150 metër kub lëndë drusore për shtylla minjerash dhe dru zjarri. Aksioni do të vazhdojë pa ndërprerje për të eleminuar paligjshmërinë në pyje.