Ky vit mund të jetë viti më i vështirë për frutikulturën në të gjithë Qarkun Dibër. Që nga qershia, rrushi e shumë kultura të tjera të frutikulturës u dëmtuan duke sjellë shumë pak prodhim për treg. Në një situatë të ngjashme siduket është edhe molla. Fermerët e Dibrës, thonë se këtë vit ka shumë pak prodhim molle për shkak se është dëmtuar që në lule nga ngricat e muajve të pranverës. Fermeri Agron Feruku shprehet se shumë plantacione me mollë nuk kanë prodhim fare, ndërsa vetëm varietetet e vonshme kanë arritur të mbijetojnë. Në këto kushte, Feruku shprehet se çmimi i mollës së Dibrës këtë vit do të jetë më i lartë se vitet e kaluara, pasi sasia e prodhimit është shumë e vogël. Agroni ka zgjedhur ta shesë prodhimin pranë rrugës nacionale Peshkopi – Bulqizë, ku blerës janë të gjithë udhëtarët që përdorin këtë aks rrugor.
Një situatë e ngjashme këtë vit në Dibër ishte edhe me qershinë e cila gjatë gjithë sezonit është shitur me çmim shumë të shtrenjtë, nga 400 deri në 700 lekë për kilogram.