Ministria e Punëve të Brendshme në Republikën e Maqedonisë së veriut, njoftoi këtë të martë se në një aksion policor në rajonin e Dibrës është kapur sasi droge me vlerë prej afro 70 mijë eurosh. Nga MPB në Maqedoninë e veriut, bëjnë me dije për mediat se nga aksioni në fjalë janë arrestuar katër persona, ndërsa janë konfiskuar 20 kilogram marijuhanë.

“Policia në urën Boshkov ka tentuar të ndalojë veturën “Golf” me targa të Shkupit nën dyshime se në të ka drogë. Shoferi nuk ka ndaluar dhe është arratisur. Pas masave të ndërmarra, makina është ndaluar në urën Sukudrinski, ndërkaq është arrestuar 32-vjeçari A.I. nga fshati Nikushtak”, shtojnë nga MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e veriut njoftojnë se në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në rrugën rajonale Gostivar Dibër është ndaluar makina “Reno Llaguna” me targa të Gjermanisë, që ka pasur rolin e “pastruesit” gjatë transportit të drogës, ndërkaq janë arrestuar 45-vjeçari B.Xh. nga fshati Haraçinë dhe 34-vjeçari B.A. gjithashtu nga fshati Haraçinë. Ndrëkaq sot në lidhje me rastin është arrestuar edhe 28-vjeçari U.N. nga fshati Banjishtë.

MPB njofton se gjatë bastisjeve janë gjetur shuma të mëdha parash, telefona celular, ndërsa janë konfiskuar edhe tre makina.