Dibër, furtuna dëmton 10 krerë gjedhë, po ktheheshin nga kullota

Dibër, furtuna dëmton 10 krerë gjedhë, po ktheheshin nga kullota

Shiu i rrëmbyeshëm i pasdites së hënë ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik në fshatin Radomirë të Dibrës. Një tufë me bagëti të trasha u rrëmbye nga rrjedhja e fuqishme e ujit e krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Ngjarja ndodhi në lagjen “Rade” të Njësisë Administrative Kala e Dodës të Bashkisë Dibër. Tufa e lopëve po kthehej nga kullota kur është rrëmbyer papritur nga rrjedha e një përroi. Për pasojë mbi 10 krerë lopë u mbytën, ndërsa arriti të shpëtonte bariu që i shoqëronte. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar specialistë të shërbimit veterinar të Bashkisë Dibër dhe Shërbimit të Veterinarisë së Ekstensionit Bujqësor Dibër të cilët po bëjnë vlerësimin e dëmeve. Të gjitha lopët ishin të regjistruara dhe të matrikulluara, ku pritet të kërkohet subvencionim të dëmit nga strukturat vendore dhe ato qëndrore. Ndërkohë, ekspertët kanë asistuar me groposjen e tyre sipas procedurave që e kërkon ligji, në mënyrë që kafshët e ngordhura të mos lihen në sipërfaqe dhe të bëhen burim infeksionesh.