AZHBR dhe Agro Pika kanë organizuar takim me fermerët për çeljen e thirrjes për aplikim për subvensionet e vitit 2019. Sipas tyre këtë vit subvensionet nuk do të përfshijnë të gjitha produktet bujqësore. Për qarkun e Dibrës subvensione do të përfitojnë vetëm qumështi, gjedhët dhe frutikultura.
Nga ana tjetër fermerët ankohen se kanë aplikuar prej disa vitesh dhe nuk kanë përfituar . Prodhuesit e qumështit shprehen të shqetësuar , pasi për çdo vit kanë aplikuar dhe janë skualifikuar pa asnjë argument bindës.
Të njëjtat shqetësime kanë edhe fermerët që mbarështrojnë blegtori, dele dhe lopë ku argumentet për skualifikimin janë qesharake
Më të shqetësuar janë bletërritësit të cilët duhet të paguajnë 200 lekë për numrat e matrikullimit , duhet të paguajnë për niptin , duhet të paguajnë edhe sigurimet shoqërore dhe nëse janë me fat mund të përfitojnë subvension 1000 lekë për koshere.
Sipas AZHBR thuhet se vitin e kaluar kanë përfituar rreth 250 fermerë një fond prej 2 miliardë lekë , por fermerët e kundërshtojnë pasi pjesa dërmuese , në qarkun e Dibrës janë skualifikuar dhe nuk kanë përfituar.