Autorët e vrasjes së 29 vjeçarit Dukagjin Plaku nga fshati Sllatinë e Dibrës kanë dalë këtë të enjte para gjykatës së Dibrës. Vëllezërit Myrteza e Jurgen Hysa u lanë nga gjykata e shkallës së parë Dibër arrest me burg nën akuzën e vrasjes me paramendin kryer në bashkëpunim.
E njëjta masë sigurimi u dha edhe për vëllain e viktimës, 24 vjeçarin Qazim Plaku si autor i plagosjes së 24 vjeçarit Myrteza Hysa, para se ky i fundit në bashkëpunim me vëllain e tij të dhunonin për vdekje me sende të forta 29 vjeçarin Dukagjin Plaku.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 3:00 të mëngjesit të së martës në fshatin Sllatinë në Dibër. Dyshohet se katër personat e përfshirë në konflikt, dy vëllezërit Plaku e dy vëllezërit Hysa, kanë qenë duke konsumuar alkool e më pas për shkaqe banale janë konfliktuar me njëri-tjetrin.
Fillimisht dyshohet se Qazim Plaku ka plagosur me thikë shtetasin Myrteza Hysa, ndërsa më pas ky i fundit sëbashku me vëllain e tij Jurgenin, rrahën për vdekje Dukagjin Plakun.