Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës, Irini Shehu është shkarkuar nga detyra këtë të premte, pas ngjarjes së ndodhur më 12 shkurt me shefin e financës së këtij institucioni, Shaban Uklala. Ky i fundit e paditi në polici drejtoreshën Shehu duke e akuzuar atë për dhunë fizike të ushtruar ndaj tij. Në deklarimin e Uklalës në polici, thuhet se në ambientet e Spitalit Rajonal Dibër, pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga shtetësja Irini Shehu, 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, me detyrë drejtoreshë e këtij Spitali.

Pas fyerjeve personale mes drejtoreshës Irini Shehu dhe shefit të Financës, Shaban Uklala gjatë një mbledhje të stafit, titullarja e institucionit është zhvendosur në zyrën e shefit të Financës pak më vonë. Këtu mësohet se Shehu ka goditur me një send të fortë Uklalën në fytyrë, duke i shkaktuar plagë.

Ndërkohë mësohet se këtë të premte është paraqitur pranë Spitalit Rajonal Dibër një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i ka komunikuar vendimin e shkarkimit Irini Shehut dhe emërimin përkohësisht në postin e saj të zv/drejtorit Astrit Ademi.

Irini Shehu mban edhe postin e Kryetares së Këshillit Bashkiak Dibër që përfaqëson mazhorancën socialiste.