Një tjetër aksident me pasoja të rënda u shënua këtë të Mërkurë në Bulqizë. Ngjarja ndodhi në një galeri minjere në fshatin Tërnovë të Njësisë Administrative Zerqan. Një minator humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur në thellësi të nëntokës. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se minatorët Fadil Stojku e Lejtim Ramçi janë futur në galeri pas shpërthimit të dinamitit në frontin e punës. Pikërisht në këtë moment ata mësohet se janë asfiksuar nga gazrat e lëshuara pas shpërthimit. Për pasojë ka humbur jetën në vend 50 vjeçari Fadil Stojku dhe ka mbetur i plagosur Lejtim Ramçi i cili ndodhet në spitalin e Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit të rëndë. Me gjithë aksidentet e rënda të ndodhura në galeritë e Bulqizës, ende nuk ka asnjë person të jetë ndëshkuar nga drejtësia si përgjegjës .