Ndeshja e luajtur të shtunën në “Liri Ballabani” e konsideruar si “Derbi” i Qarkut Dibër nuk ka prodhuar fitues. Skuadrat nuk arritën të gjejnë rrjetën e portës kundërshtare duke e mbyllur gjithë takimin me rrjeta të paprekura. Gjithsesi kanë qenë miqtë që kanë patur mundësinë të parët me anë të një 11-të metërshi të kalonin në avantazh në minutën e 12-të. Skuka pengohet në zonën e portës matjane dhe për gjyqtarin kryesor të takimit Indrit Myrtja ka penallti. Mat Televizion
Gjuajtja e saj i besohet po Skukës, por gardiani i portës së Burrelit, Bytyçi pret topin duke i humbur mundësinë miqëve të kalojnë në avantazh. Në minutën e 15 janë vendasit që pretendojnë për penallti, por për kryesorin Myrtja ishte stimulim i Kurbneshit. Në minutën e 27 është sërisht Skuka i cili tenton ndaj portës matjane por nuk ka shënjestër. Mitraj vë në vështirësi miqtë në minutat 33 dhe 36 por pa rezultat. Ndërkohë në minutën e 40 një ndërhyrje ndaj Reçit ka irrituar trajnerin e Korabit, Dorjan Bubeqi. Ky i fundit protestoi ndaj gjyqtarëve. Është dashur ndërhyrja e vëzhguesit Engjëll Pjetrushi dhe delegatit Agim Mone për të qetësuar situatën. Megjithatë, gjyqtarët u mjaftuan me vetëm një këshillim ndaj tij. Pjesa e parë mbyllet me këto raste, ndërsa e dyta nis sërisht me të njëjtën energji nga të dyja skuadrat të cilat bënë një lojë voluminoze. Një dalje e saktë e Bytyçit në minutën e 52 ndali Skukën i cili ishte i vetëm. Daniel tenton në minutën e 58 por topi godet mbrojtjen. Matjanët pretendojnë një tjetër penallti në minutën e 64 pasi Mitraj rrëzohet në zonën dibrane. Edhe këtu Myrtaj sinjalizon vijimin e lojës. Një tjetër rast ideal i miqëve për të kaluar në avantazh erdhi në minutën 88’ nga Xhabrahimi i cili ndodhej shumë pranë portës por Bytyçi mbron me fanatizëm duke mos lejuar topin të prekë rrjetën. Katër minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt, Sokol Beti nuk ndryshuan asgjë.
Me brazimin e sotëm Korabi ka humbur vendin e parë në grup duke ja lënë atë Erzenit, ndërsa Burreli qëndron në vendin e tetë në kuotën e katër pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura sot ishin Veleçiku – Egnatia 1 me 0, Tërbuni – Beslidhja 1 me 1, Shkumbini – Kastrioti 2 me 2 dhe Dinamo – Erzeni 0 me 2.