SPAK i kërkon deputetit Halit Valteri të paraqesë provat dhe të dëshmojë se çfarë di lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.

Gjithçka mori shkas nga seanca plenare, ku Halit Valteri nga foltorja e Kuvendit publikoi një video në të cilën pretendonte se shihen autorët e atentatit.

Po ashtu deputeti do të merret dhe në pyetje për të parë nëse ai disponon prova të tjera që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes që ka ndodhur vitin e kaluar

Valteri tha se kanë qenë dy autorë në sulm, njëri me kapele dhe tjetri pa kapele. Ai sqaroi se pamjet i ka marrë nga kamerat e sigurisë në disa biznese në zonën ku ka ndodhur ngjarja.

Deklaratat Valteri i bëri në interpelancën e thirrur me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku i kërkoi atij llogari për zbardhjen e atentatit ndaj prokurororit Ndoja.

Sipas Valterit, policia nuk po i heton qëllimisht autorët pasi është e lidhur ngushtë me bandat. Për Lleshajn, nga ky veprim u kuptua qartë se Valteri nuk e ka hallin te krimi në përgjithësi, por në një rast konkret