Deputeti Erald Kapri Sulmohet me Gaz Lotsjellës Gjatë Protestës

Deputeti Erald Kapri Sulmohet me Gaz Lotsjellës Gjatë Protestës

Deputeti Erald Kapri i partisë Mundësia është sulmuar me gaz lotsjellës nga policia ditën e sotme, gjatë një proteste.

Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, deputeti Kapri ishte duke filmuar momentet kur u kërkonte llogari efektivëve me skafandra dhe kokore, të cilët sulmonin dhe godisnin protestuesit.

Në këto momente, deputeti kërkoi sqarime nga efektivët se përse po dhunonin protestuesit paqësorë. Edhe pse u identifikua si deputet, Kapri është sulmuar me lëndë helmuese nga një efektiv policie.

“Para syve të mi, disa të rinj po goditeshin nga policia pa mëshirë me shkopinj gome. Teksa u kërkoja të ndalonin, një polic që më kishte identifikuar më erdhi nga pas dhe më hodhi pabesisht një sasi të madhe gazi helmues drejt e në fytyrë”, shkruan Kapri në rrjetet sociale. Ai shtoi: “Nëse një polic guxon ta bëjë këtë ndaj një deputeti, mes sheshit, mendoni çfarë u kanë bërë të rinjve nëpër rrugica! Do mbani përgjegjësi, një më një! Nuk na ndalni!”