Me 26 Nëntor të vitit të kaluar një ngjarje e rëndë u shënua në Bulqizë. 22 vjeçari Elidon Basha u plagos nga shoku i tij teksa kishin dalë për gjueti. Fillimisht ngjarja u raportua që të rinjtë kishin dalë për gjueti e aksidentalisht 27 vjeçari Klodian Kola kishte qëlluar me armë gjahu shokun e tij. Por më pas policia e Dibrës zbuloi se gjuajtja ishte bërë me armë zjarri automatike. Një ditë më vonë me 27 Nëntor të vitit 2020, policia gjatë kontrollit në banesën e Klodian Kolës gjeti dhe sekuestroi armën e gjahut, kallashnikovin, një armë sportive, elektrik dore dhe motorin me të cilët të rinjtë kishin dal për gjah. Po ashtu policia nisi hetimet edhe për prindërit e Klodianit nën akuzën e fshehjes së provave të ngjarjes. 22 vjeçari u dërgua fillimisht në spitalin e Bulqizës, më pas në atë të Dibrës e pas disa orësh u nis drejt Tiranës, por fatkeqësisht ndërroi jetë gjatë rrugës. Pas afro dy muajve babai i Elidon Bashës kërkon drejtësi pasi sipas tij, djali ka humbur jetën për fajë të mjekëve.
Ndërkohë, Hasan Basha fajëson edhe familjen e Klodian Kolës pasi sipas tij, janë munduar të mbrojnë djalin e tyre, në vend që të lajmëronin atë për atë që ndodhi. Hasani shprehet se familja Kola i ka një gjak borxh dhe se për djalin e tij do të kërkojë drejtësi deri në gjykatën e Hagës.