Banorët e fshatit Dom në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit sapo ishin bërë gati për të vaditur të mbjellat e tyre, vepra vaditëse ka pësuar dëmtime duke lënë rreth 70% të fshatit pa vaditje. Sipas banorëve të këtij fshati, uji vaditës ka arritur dje por është dëmtuar një mur mbrojtës i kanalit, duke mos lejuar që uji të shkojë tek fermeri më i fundit. Ata shprehen se kjo situatë pritej pasi sipas tyre muri mbrojtës dhe kanali nuk janë ndërtuar me parametrat e duhura.
Ata shpresojnë që ky problem të zgjidhet sa më parë pasi rritja e temperaturave ndjeshëm ditët e fundit ka shtuar nevojën për vaditjen e të mbjellave, në mënyrë që ato të mos thahen si vitet e kaluara.
I kontaktuar nga ana jonë Administratori i Njësisë Gurrë tha se po merren masa urgjente për riparimin e kësaj pjese të dëmtuar dhe banorët do ta kenë ujin vaditës sa më shpejt të jetë e mundur.