Dëmtimet në rrugën e Arbrit bëhen burim aksidentesh

Dëmtimet në rrugën e Arbrit bëhen burim aksidentesh

Rruga e Arbrit po shfaq probleme të vazhdueshme jo vetëm në shtresën asfaltike, por edhe në deformimet që pëson traseja. Dëmtimi i asfaltit në afërsi të hyrjes në tunelin e Murrizit në anën e Xibrit, është bërë burim për aksidente. Janë disa raste që teksa makinat që lëvizin nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër dalin në anën e kundërt të lëvizjes për shkak të dëmtimit të kësaj pjese të asfaltit dhe janë aksidentuar. Shenjat kanë mbetur qartë në rrugë ku kanë shembur sinjalistikën vertikale duke përfunduar në kanalin anësor. Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve thanë se gjendja në këtë kthesë të rrezikshme është e tillë prej më shumë se një muaji dhe të gjithë ata që e din problemin, mundohen ta shmangin duke dalë në sens të kundërt të lëvizjes, por bëhen burim aksidenti. Tjetër problem mbetet edhe dëmtimi i trasesë si pasojë e uljes së tokës. Veç disa pikave që ndodhen në segmentin e Xibrit, një tjetër segment problematik mbetet ai sapo del nga tuneli i Murrizit në afërsi të hyrjes së bajpasit. Ulja e tokës në këtë zonë ka qenë e vazhdueshme që me hapjen e trasesë ku me gjithë ndërhyrjet e bëra në këto vite nga firma ndërtuese e rrugës së Arbrit, situata rikthehet, duke krijuar një tjetër precedent për aksidente automobilistike.