Të dëmtuarit nga tërmetet që nga viti 2019 në Bashkinë e Klosit vijojnë të jenë në gjendje të vështirë pasi nuk kanë mundur dot të sigurojnë banesë të sigurtë. Familjet e dëmtuara 4 vite më parë, vijojnë të jenë pa një strehë, me shpresën se shteti do t’i ndihmojë ashtu siç bëri me zonat e tjera të goditura në 26 Nëntor të vitit 2019. Ndërkohë, në lidhje me këtë situatë ka folur edhe prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, konkretisht për Bashkinë e Klosit. Shehu tha se grupet e mbrojtjes civile duhet të përfundojnë sa më parë punën me dosjet e dëmtimeve të Janarit të këtij viti, ndërsa shtoi se dëmshpërblimet do të bëhen nëpërmjet bashkisë pasi nuk është përfshirë në zonën e emergjencës kombëtare të katër viteve më parë.

Një ndër familjet e dëmtuara nga tërmeti është edhe ajo e Mersim Hoxhës në fshatin Bejn, ku aktualisht është rikthyer për të jetuar në banesën e rrezikshme gati në shembje.