Të tjera detaje dalin në dritë nga aksidenti i familjes dibrane në rrugën nacionale Burrel-Milot. Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se të plagosur janë gjyshërit, prindërit dhe dy fëmijët, të cilët janë transportuar në Spitalin e Burrelit, ku njëri prej tyre është sjellë me urgjencë në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Siç mëson gazetari Doçi, familja rrinte me banim në Tiranë, por kishte shkuar dje në Dibër për një rast gëzimi. Ata ishin nisur sot drejt kryeqytetit me makinën e tyre, ku për shkak të lagështirës dhe rrugës së amortizuar, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe ka rënë përmbys poshtë urës.

Ka qenë njëri prej anëtarëve të familjes, i cili ka mundur të dalë nga mjeti dhe të kërkojë ndihmë, duke shmangur tragjedinë dhe duke shpëtuar të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

Gazetari Doçi sjell pamje nga vendngjarja , ndërsa raporton se drejt Tiranës është sjellë një fëmijë 4 vjeç, ndërsa në mjet ka qenë dhe një fëmijë 12 vjeç, prindërit e tyre dhe gjyshërit e fëmijëve.