Kryetari i Partisë Demokratike Mat, Arjan Lika ka reaguar pas daljes së rastit të parë në Mat të infektuar me Covid-19. Në një postim në rrjetin e tij social në Facebook, Lika iu bën apel institucioneve shëndetësore dhe lokale të rrisin vëmendjen dhe masat mbrojtëse ndaj këtij virusi. Gjithashtu Lika ripërsëriti kërkesën ndaj Bashkisë Mat për pezullimin e taksës vendore ndaj bizneseve deri në përfundim të kësaj situate.

Statusi i plotë i Kreut të PD, Mat Arjan Lika në Facebook

Të dashur vëllezër e motra matjanë, me shqetësim mësova lajmin se një rast me Covid 19 është konstatuar dhe në Mat. Prania e një rasti dhe mungesa e testimeve masive në Mat, rrit shqetësimin e arsyeshëm se rasti mund të mos jetë i vetëm dhe rreziku i infektimit është i pranishëm për këdo. Në këto kushte duke i uruar shërim të shpejtë të prekurve, gjejmë rastin ti kërkojmë gjithashtu institucioneve të Matit, nga kujdesi shëndetësor, pushteti lokal forcat e rendit të rrisin vemendjen, transparencën dhe masat në mbrojtje të jetës së qytetarëve matjanë. Është e domosdoshme të rriten masat dezinfektuese në ambientet publike. Është jetike marrja e masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe sidomos testimi sa më masiv i popullatës dhe respekimi i masave për distancimin social. Me këtë rast, përsërisim kërkesën tonë që institucionet lokale të vijnë në ndihmë të bizneseve të vëna në vështirësi ekstreme ekonomike për shkak të izolimit. Pezullimi i taksave dhe tarifave vendore deri sa të zgjasin masat e kufizimit të lëvizjes, është një kërkesë realiste dhe plotësisht e realizueshme. Ashtu si jeta e shëndeti dhe mbijetesa e ekonomisë së rrethit tonë është domosdoshmëri. Sot është dita që qytetarët e bizneset të mbështeten. Partia Demokratike Dega Mat do të jetë përherë në përkrahje të qytetarëve në nevojë, bizneseve të rrethit tonë dhe do të kërkojë transparencë dhe përkushtim të sinqertë nga institucionet e rrethit tonë.