Që prej datës 29 Nëntor ku dhe u bë zyrtarisht hapja e qarkullimit në rrugën e Arbrit nga Klosi në Tiranë e anasjelltas, frekuentimi i tij ka qenë shumë i madh. Për shkak se rruga ende nuk ka përfunduar plotësisht ekspertët këshillojnë që të tregohet kujdes gjatë lëvizjes në të.
Kujdesi më i madh duhet treguar në bajpasin e Murrizes, rrugë e cila është edhe disi e ngushtë për shkak se është provizore. Por problemi i ngushtësisë nuk është i vetmi në të.
Më problem lëvizja në këtë segment është gjatë natës e sidomos kur ka prani të mjegullës. Kjo e fundit kufizon ndjeshëm shikueshmërinë. Po ashtu pjesa nga Bastari i Tiranës ka mungesë të theksuar të sinjalistikës fosforeshente. Ekspertët këshillojnë që në prani të mjegullës lëvizja të bëhet shumë e ngadaltë.
Po ashtu, prani të mjegullës ka edhe në tunelet në anën e fshatit Shkallë, mbi urën mes Tuneleve dhe aksi përgjatë fshatit Fshat. Duke qenë se ndërtimi i kësaj rruge nuk është mbyllur përfundimisht ekspertët sugjerojnë që lëvizja në të të bëhet me shumë kujdes, në mënyrë që të shmangen aksidentet që mund të jenë fatale, për shkak edhe të terrenit në të cilin është ndërtuar rruga.