Pas shtyerjes me dy vite për shkak të pandemisë Covid-19, këtë vit do të zhvillohet censusi i popullsisë dhe banesave. Numërimi i popullsisë dhe banesave do të nisë me datë 18 shtator në të gjithë vendin. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se prej muajsh vijon përgatitja e grupeve që do të veprojnë në terren. Agjentët e terrenit janë trajnuar në përdorimin e pajisjes evidentuese dhe intervistuese që do t’ju shërbejë gjatë punës gjashtë javore.

Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censusi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censusi i parë u krye në vitin 1923. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censuseve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censusit të Popullsisë dhe Banesave.

Censusi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censusi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.