Veç problemit të mirëmbajtjes, rruga që lidh qytezën e Ulzës me rrugën nacionale Burrel – Skuraj po përballet edhe me një problem tjetër.

Në afërsi të Urës, traseja ka pësuar një çarje e cila vijon të zgjerohet çdo ditë. Ndonëse ky problem ka nisur prej vitesh, asnjë nga mirëmbajtësit nuk është kujdesur që të ndalë agravimin e mëtejshëm, pasi nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

Çarja e asfaltit është thelluar, duke krijuar një boshllëk të madh si dhe duke u bërë rrezik për dëmtimin e mëtejshëm, pasi të gjithë ujërat e shiut që mblidhen nga rruga përfundojnë në të.

Në pjesën ku rruga ka pësuar çarje ndodhet edhe një pusetë e rrejtit të ujit të pijshëm për Ulzën. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve thanë se duhet bërë ndërhyrje e menjëhershme pasi nëse do të vijojë të qëndrojë në këtë gjendje, atëherë rrezikon të dëmtohet e gjithë rruga.

Ky aks rrugor është ndërtuar 7 vite më parë, ndërsa në Ulëz po bëhen investime të tjera që pritet t’i shërbejnë rritjes së turizmit në këtë perl natyrore të vendit tonë.