Rruga e Arbrit ka tërhequr thuasje gjithë qarkullimin e automjeteve që lëvizin në drejtim të Qarkut Dibër apo Tiranës. Por, me gjithë këtë fluks, problematikat në këtë aks janë të shumta, kryesisht në bajpasin e Murrizit. Siç duket nga pamjet, rruga rrezikon të shembet e gjitha në fshatin Bastar Murrize. Çarja e asfaltit në këtë vend ka qenë një problem i vazhdueshëm që kur është hapur aksi për qarkullimin e automjeteve. Por si të mos mjaftonte problemi, dëmtimi i rrugës dhe ngushtimi i saj nuk shoqërohet me asnjë tabelë informuese për drejtuesit e automjeteve. I vetmi paralajmërim janë këto gurë të vendosur në pjesën e dëmtuar, por që drejtuesit e mjeteve përballen në befasi, sidomos ata që qarkullojnë për herë të parë në këtë rrugë. Drejtuesit e mjeteve thonë se ky nuk është problemi i vetëm i kësaj rruge pasi në shumë pika ka deformime të karrexhatës, prezencë të gropave etj.

Bajpasi i Murrizit u ndërtua për të hapur para përfundimit të tuneleve qarkullimin e mjeteve në rrugën e Arbrit, por problemet në të kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa më problematike situata paraqitet gjatë stinës së dimrit.