Ekipi i futbollit “Burreli” nuk ja ka dalë mbanë as në ndeshjen e sotme të luajtur në transfertë në Shijak kundër ekipit të Erzenit. Ky i fundit fitoi bindshëm ndaj matjanëve duke shënuar plot katër gola. Ka qenë Xhynejt Çutra që ka hapur siparin e golave në minutën e dytë të shtesës së pjesës së parë.
Sulmuesi i Burrelit, Mitraj ka humbur disa raste para portës vendase duke mos arritur të finalizojë asnjë prej aksioneve. Por vendasit nuk janë mjaftuar me golat ndaj Burrelit duke shënuar edhe plot tre të tjerë në pjesën e dytë.
Në minutën e 61 është Kabral që çon rezultatin në 2 me 0. Rezultatin katër me zero e çuan Rezi me gol në minutën e 73 dhe Alimadhi në minutën e 79.
Zëvendësimet e bëra nga trajneri Gentian Stojku duke futur në lojë Mallunxën, Handon dhe Memaçin nuk ndryshojnë asgjë.
Kjo ishte ndeshja e tretë e Burrelit që e luajti jashtë fushe, duke bërë kështu që të trija t’i humbasë dhe të shkojë në javën e pestë të këtij sezoni me vetëm 3 pikë të grumbulluara nga 12 të mundshme.