Vetëm në javën e 8-të të këtij sezoni ekipi i Burrelit ka arritur të marrë pikë jashtë fushës së tij. Matjanët u përballën këtë të shtunë në Shkodër me Veleçikun e Koplikut një ndeshje që ka prodhuar emocion dhe ngjarje. Pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur pa gola, por me plot pesë kartona të verdhë të dhënë nga gjyqtari kryesor, 2 për Veleçikun e tre për Burrelin. Ekipet kanë shkuar në dhomat e zhveshjes me porta të paprekura, ndërsa pjesa e dytë do të sillte edhe disa episode në fushë si gola e karton të kuq.
Është Burreli që kalon në avantazh në minutën e 73 me Becin i cili godet saktë me kokë një top që vjen nga një goditje fundore. Vetëm dy minuta më vonë vendasit do të mbeten me 10 lojtarë në fushë pas daljes me të kuqe të Cokajt i cili ndërhyn keq ndaj Kurbneshit që ishte lojtari i fundit në sulm drejt portës vendase.
Por atëherë kur mendohej se gjithçka po mbyllej në favor të matjanëve, vendasit barazojnë në minutën e 94 me Tomën, duke i hequr Burrelit dy pikë të rëndësishme nga kjo ndeshje.
Ndërkohë përballjet e tjera të grupit A këtë të shtunë ishin: Besëlidhja – Dinamo 4 me 0, Tërbuni – Shkumbini 1 me 1 dhe Egnatia – Korabi 1 me 0. Kastrioti me Erzenin do të përballen të dielën.