Ekipi i Burrelit ka mbyllur të Mërkurën garën për Kupën e Shqipërisë pasi u mund nga Vllaznia edhe në shtëpinë e kësaj të fundit. Kanë mjaftuar dy minuta që shkodranët të siguronin rezultatin e kësaj ndeshjeje. Në minutën e 22 dhe 24 vendasit kanë shënuar me Uenderson dhe Emerson, duke i dhënë ekipit të Vllaznisë mundësinë e kalimit në fazën tjetër.
Burreli i cili ka aktivizur lojtarë të rinj për shkak të mospasjes së interesit në garën e Kupës, nuk ka arritur të shënojë as golin e nderit. Megjithatë, drejtuesit e stafit teknik kishin deklaruar që në fillim që objektivi është kampionati dhe jo kupa.
Ata kanë aktivizuar rezervat në këtë ndeshje për të ruajtur formacionin për ndeshjen e së shtunës në transfertë ndaj Erzenit të Shijakut.
Tre pikët e marra të shtunën e kaluar i kanë dhënë mundësinë Burrelit të ngjitet në tetë në renditjen e kategorisë së parë.