Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të zhvillojë nesër ndeshjen e javës së 21 të kampionatit të kategorisë së parë. Matjanët do të presin në shtëpi ekipin e Besëlidhjes së Lezhës i cili aktualisht ndodhet në vendin e fundit të klasifikimit.
Por ky pozicionim i lezhjanëve nuk ka ndikuar në vlerësimin e ndeshjes, pasi përkundrazi si pasojë e rrezikut që kanë për të rënë në një kategori më poshtë do të luftojnë fort për të marrë pikë. Ndërkohë, tekniku Dorian Bubeqi e ka shprehur vazhdimisht synimin e tij që është marrja e pikëve maksimale në çdo përballje. Kështu që nuk do të ketë asnjë nënvlerësim të kundërshtarit të kësaj të shtune. Sipas Bubeqit kampionati është drejt fundit dhe llogaritë përballë çdo kundërshtari duhen bërë mirë.
Lajmi mirë është se në ndeshjen e së shtunës do të ketë prani të tifozërisë pas 5 javësh mungese. Ndërkohë, klubi ka vendosur që hyrja në shkallët e stadiumit do të jetë falas për të gjithë ata që dëshirojnë të mbështesin skuadrën e zemrës.
Dritan Kurti