Dita e Gjashtë e Protestës: Tensionohet Situata, Sulmohet Selia e PS-së

Dita e Gjashtë e Protestës: Tensionohet Situata, Sulmohet Selia e PS-së

Dita e gjashtë e protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ka shënuar një përshkallëzim të tensioneve në kryeqytet.

Edhe sot, grumbullimi i protestuesve nisi pranë Ministrisë së Arsimit. Të rinjtë, disa me e disa pa maska, mbanin flamuj kombëtarë dhe brohorisnin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.

Kjo ditë proteste filloi me një detaj ndryshe, ku disa të rinj kërcyen dhe kënduan në mes të rrugës, përballë efektivëve të Policisë.

Njëri prej protestuesve, pasi u bëri thirrje të pranishmëve të mos ushtronin dhunë ndaj Policisë dhe efektivëve që të mos dhunonin protestuesit, në shenjë revolte, grisi certifikatën që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.

Megjithatë, pas pak momenteve qetësie, situata u tensionua. Filluan hedhjet e gurëve në drejtim të policisë, e cila qëndronte pranë Ministrisë së Arsimit.

Nga tensionet, një gazetare mbeti e lënduar dhe u largua nga zona e protestës me ambulancë. Policia më pas largoi protestuesit drejt qendrës, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan në komisariate.

Protestuesit ndaluan para selisë së Partisë Socialiste, ku nisën të sulmonin godinën me gurë, duke goditur derën dhe thyer xhamat.