Më në fund ekipi i futbollit Burreli ka gjetur fitoren pas tre humbjeve radhazi të pësuara që me rinisjen e kampionatit. Matjanët fituan me rezultatin 2 me 1 ndaj ekipit të Egnatias së Rrogozhinës, një ndeshje e cila prodhoi emocion për vendasit. Pjesa e parë e takimit u mbyll me porta të paprekura, megjithë tentativat e Fikajt për Burrelin dhe Bejkos. Asnjëra nga skuadrat nuk arriti të finalizonte aksionet, për të sjellë një panoramë ndryshe në pjesën e dytë. Janë matjanët të cilët përfitojnë një penallti në minutën e 53. Gjuajtja e njëmbëdhjetmetërshit i besohet Hyskës, por topi ndalet nga portieri Varfi. Megjithatë, matjanët e gjejnë rrjetën vetëm 10 minuta më vonë. Sërisht ka një penallti për matjanët pasi një nga mbrojtësit e rrogozhinës ndërhyn keq në zonën e rreptësisë. Këtë herë është braziliani Almeida i cili do të godasë nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar ekipin e tij në avantazh.
Por ky rezultat nuk do të zgjaste deri në fund pasi vetëm dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, janë miqtë që shënojnë me Manushin. Ky i fundit godet nga larg dhe dërgon topin në rrjetën e portës vendase.
Por matjanët shfrytëzojnë minutat shtesë të dhëna nga gjyqtarët. Në minutën e parë të shtesës është sërisht braziliani Almeida që shënon golin e dytë të tij dhe vulos rezultatin final të takimit.
Për miqtë nuk ka më kohë, pasi kryesori Indrit Myrtja sinjalizon përfundimin e lojës. Trajneri i ekipit të Burrelit, Renato Hoti tha se sfida ishte e vështirë, megjithatë, fitorja është motivuese.
Me tri pikët e marra ndaj Egnatias, Burreli rikthehet në vendin e parë të zonës Play Out të grupit A me 27 pikë.