Në javën e 9 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, ekipi i Burrelit ka rigjetur fitoren, duke mundur në shtëpinë e tij një kundërshtar aspak të lehtë siç është Flamurtari i Vlorës. Matjanëve ju ka mjaftuar një gol për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në këtë garë, pas disa rezultateve negative.

Me gjithë tentativat e herë pas hershme nga djemtë e drejtuar nga tekniku Dorian Bubeqi, nuk arritën të finalizojnë aksionet deri në minutën e 62 të lojës. Osikel merr një asist të saktë nga Farruku dhe del i vetëm përballë portierit mik, duke realizuar saktë golin e vetëm të kësaj sfide.

Miqtë kontestuan për prozicion jashtë loje, por për gjyqtarin kryesor, goli ishte i rregullt. Minutat në vijim nuk sollën asnjë ndryshim në rezultatin e sfidës e cila u mbyll Burreli 1 e Flamurtari 0.

Rezultatet e tjera të javës së 9 ishin, Vora – Korabi 1 me 0, Apolonia – Bylis 0 me 1, Besa – Luzi Vogël 2 me 0, Lushnja – Kastrioti 3 me 1 dhe Elbasani – Tomori 4 me 0.